Kolegji i Posaçëm i Apelimit është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b, Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr. 84 /2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, rregullores “Për veprimtarinë e Kolegjit të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe rregulloreve të tjera të miratuara.

 

Misioni

Misioni i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është: “Përmbushja e funksioneve dhe kompetencave ligjore për garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”.

Pika 5 e nenit 179/b të Kushtetutës parashikon që gjatë periudhës 9-vjeçare të mandatit të tij, Kolegji e ushtron funksionin si pjesë e Gjykatës Kushtetuese, e cila gjatë kësaj periudhe kalimtare do të funksionojë me dy kolegje. Gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, sipas pikës 3 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës, gjatë mandatit të tyre gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Kolegji i Apelimit përbëhet nga shtatë gjyqtarë (të miratuar në bllok me vendimin nr. 82/2017 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë) dhe është organi i vetëm gjyqësor që shqyrton ankimet kundër vendimeve të Komisionit, sipas Aneksit të Kushtetutës dhe Ligjit.

 Kriteret e rivlerësimit

Procesi i rivlerësimit kryhet mbi bazën e tri kritereve:

  1. vlerësimi i pasurisë;
  2. kontrolli i figurës;
  3. vlerësimi i aftësive profesionale.

Kolegji i Apelimit  ushtron funksionet e tij, si institucion i pavarur dhe i paanshëm, mbi bazën e parimeve të barazisë përpara ligjit, kushtetueshmërisë e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe parimeve të tjera që garantojnë të drejtën e subjekteve të rivlerësimit për një proces të rregullt ligjor.

 Juridiksioni

 Kolegji i Apelimit gjatë mandatit të tij, në përputhje me Kushtetutën, ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe legjislacionit që rregullon çështjet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ka juridiksion të shqyrtojë:

  1. shkeljet disiplinore të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
  2. ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të tjerë.

Procesi gjyqësor në Kolegjin e Apelimit kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në nenet 47, 48, pika 1; 49, 51 dhe 55 të ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Kolegji i Apelimit gjykon në trupa gjykuese të përbëra nga 5 gjyqtarë, të cilët caktohen me short për çdo çështje.

 

Për të përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe Ligji, Kolegji i Apelimit mbështetet nga personeli këshillimor dhe punonjësit administrativë. Me vendimin nr. 92/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, janë miratuar: struktura organizative, organika dhe klasifikimi i pagave të personelit të Kolegjit të Apelimit.