Njoftim vendimi

Njoftim vendimi

2019-07-09 00:00 - 00:00

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Luan Daci anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 13/2018, datë 07.09.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 32, datë 05.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Brati.

Pas analizës financiare të kryer në Kolegj, trupi gjykues konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk justifikoi me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara për periudhën 2007 – 2016, duke përfshirë në përllogaritje të gjitha kërkimet e Komisionerit Publik.

Në përfundim, bazuar në konkluzionet e mësipërme, në mbështetje të nenit D, pikat 1, 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës, të neneve 33, pika 5, germa “b” dhe 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, vlerëson se vendimi nr.32, datë 05.07.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet ndryshuar.

Për këto arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, mbështetur në faktet e provuara në gjykim dhe në ligjin e zbatueshëm për çështjen, sipas nenit 66 pika 1, germa “b” të ligjit nr.84/2016, në mënyrë unanime, vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Alma Brati, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
  2. Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 09.07.2019.