Njoftim vendimi

Njoftim vendimi

2019-05-29 00:00 - 00:00

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) 20/2018, datë 17.10.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 48, datë 25.07.2018.

Në fillim të seancës gjyqësore, kryesuesja, gjyqtarja Albana Shtylla, për efekt transparence të publikut, bëri me dije se subjekti i rivlerësimit Rovena Gashi ka paraqitur një kërkesë me objekt përjashtimin e trupës gjykuese, kërkesë e cila është regjistruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me nr. prot. 753/37, datë 10.05.2019.

Kërkesa e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit është depozituar pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor në seancën e datës 6 maj 2019, ndërkohë që trupi gjykues ishte tërhequr në dhomë këshillimi për bisedimet për vendimmarrjen. Kjo kërkesë është trajtuar nga 5 trupa gjykuese të shortuara në Kolegj, duke patur në konsideratë zbatimin e balancuar të parimit të paanësisë në gjykim, me atë të ushtrimit të funksionit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit si gjykatë, për shkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve të tij.

Gjithashtu, për shqyrtimin e kësaj kërkese të subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Procedurës Civile, ka garantuar gjykimin e saj me 5 trupa gjykuese, në të cilat nuk ka qenë anëtar, gjyqtari për të cilin kërkohej përjashtimi.

Trupat gjykuese të shortuara për këtë kërkesë në Kolegj, me vendimet nr. 20/6, 20/11, 20/12, 20/13 dhe 20/14, të datës 27.05.2019, kanë vendosur rrëzimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi për përjashtimin e anëtarëve të trupës gjykuese që po shqyrton ankimin kundër vendimit nr 48, datë 25. 07. 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Bazuar në vendimet e mësipërme, trupi gjykues vijoi bisedimet për vendimmarrje për çështjen që i përket subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi dhe mori vendimin si më poshtë:

Trupi gjykues çmon se, nga analiza financiare rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë të aftësive paguese me të ardhura nga burime financiare të ligjshme, siç është konkluduar në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, situatë faktike që parashikohet në nenin D, pika 1 dhe 3 të Aneksit të Kushtetutës dhe në nenin 33, pika 5, germa “b” të ligjit nr.84/2016.

Për këto arsye, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyrë unanime:

1.Lënien në fuqi të vendimit nr.48, datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

2.Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 29.05.2019.